Nis Shkolla Verore e BE-së, i kushtohet sfidave e përdorimit të AI-së

Nis Shkolla Verore e BE-së, i kushtohet sfidave e përdorimit të AI-së

Në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë ka nisur Shkolla Verore e BE-së, e cila këtë vit i kushtohet sfidave dhe perspektivave ndërdisiplinore gjatë përdorimit të inteligjencës artificiale.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se tashmë ndodhen në fazën e pestë të zhvillimit teknologjik.

“Faza e parë konsiderohet revolucioni industrial, kur njerëzit zbuluan makinat dhe e bënë punën në mënyrë më efikase. Pas kësaj erdhi faza e dytë, elektrifikimi; e treta ishte automatizimi; e katërta digjitalizimi dhe e pesta inteligjenca artificiale”, konstatoi rektori Hajrullahu, raporton rtk.

Ai bëri thirrje që të gjithë të përgatiten për ndryshimet që po sjell dhe do të sjellë kjo inteligjencë, pasi sipas tij, asgjë më nuk do të jetë njësoj.

Rektori tha se as ekspertët më të mëdhenj të fushës së inteligjencës artificiale nuk e dinë saktësisht se si do të duket e ardhmja, derisa parashikoi se këto zhvillime teknologjike do të ndryshojnë edhe mënyrën e ligjërimit të profesorëve universitarë dhe komunikimin me studentët.

Edhe Johannes Stenbaek, shefi i bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, tha se inteligjenca artificiale po e transformon botën, por theksoi se është përgjegjësi e secilit që kjo inteligjencë t’i shërbejë së mirës publike.

Shkolla Verore e BE-së organizohet nga Young Cell Scheme dhe European Youth Card Kosovo, në partneritet me Universitetin e Prishtinës.

“Gjatë katër ditëve sa do të zgjasë, do të flitet për përdorimin e inteligjencës artificiale në arsimim, media, ekonomi e biznes, për etikën, privatësinë dhe rregullativën ligjore të kësaj fushe, sigurinë kibernetike dhe tema të ngjashme. Në fund, pjesëmarrësve të Shkollës Verore të BE-së do t’u jepen certifikata”, ka bërë të ditur njoftimi i UP-së.

Share This