
Nga Dubai në Doha/ Irani nis një valë sulmesh në të gjithë rajonin pas goditjeve nga SHBA dhe Izraeli
Pas sulmeve të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit, Teherani ka reaguar me një seri goditjesh në disa vende të Lindjes së Mesme, kryesisht në shtete ku ndodhen baza ushtarake amerikane ose aleatë të Uashingtonit.
Në Dubai, një shpërthim u regjistrua në hotelin Fairmont The Palm, në zonën e Palm Jumeirah. Autoritetet lokale njoftuan se katër persona mbetën të plagosur pas një incidenti në një ndërtesë të zonës. Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe deklaroi gjithashtu se ka interceptuar një valë të re raketash dhe dronësh iranianë, pasi më herët e cilësoi sulmin si një “agresion të hapur me raketa balistike”.
Në Doha, shpërthime u raportuan pranë bazës ajrore Al Udeid Air Base, baza më e madhe ushtarake amerikane në rajon.
Një bazë e Marinës amerikane në Bahrain u godit me raketa, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve. Shpërthime u dëgjuan edhe në Kuwait, ku agjencia KUNA raportoi se një dron që synonte aeroportin ndërkombëtar shkaktoi plagosje të lehta dhe dëme të kufizuara në një terminal.
Sipas Reuters, mbrojtja ajrore amerikane rrëzoi një dron mbi një bazë ushtarake pranë Erbil, në Irak.
Ndërkohë, Jordania njoftoi se forcat e saj të armatosura rrëzuan dy raketa balistike, ndërsa mbetje të tyre ranë në disa zona.
Edhe Izraeli raportoi një valë raketash iraniane, me sirena alarmi që u dëgjuan në të gjithë vendin. Ushtria izraelite deklaroi se Irani synon “të terrorizojë civilët dhe të shkatërrojë lagje banimi”. /rtsh/


