Haxhiu: Duhet marrëveshje për presidentin, të shmangen zgjedhjet

Haxhiu: Duhet marrëveshje për presidentin, të shmangen zgjedhjet

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përfunduar takimin me një pjesë të liderëve të partive politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Duke folur për diskutimet në takim, Haxhiu tha se dialogu mes spektrit politik për pozitën e presidentit është i domosdoshëm për funksionalizimin e institucioneve. Ajo bëri të ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka njoftuar se së shpejti do të zhvillojë edhe një takim tjetër me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

“Ishin 11 liderë të partive politike që përfaqësohen në Kuvend. Qëllimi i takimit ishte të shohim nëse kemi ndonjë rrugë për të ecur bashkë, për ta shmangur ngërçin institucional dhe zgjedhjet e parakohshme. Ju e dini që para nesh janë dy qëndrime politike. Kemi qëndrimin e Vetëvendosjes dhe partnerëve që, nëse hyjnë në konstituimin e Kuvendit pa marrëveshje për presidentin, mund të përsëritet kriza e vitit të kaluar dhe e këtij viti”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj, tani kemi qëndrimin e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës që Kuvendi të konstituohet dhe pastaj të diskutohet.

“Ne nuk kemi nevojë të hamendësojmë se çfarë sjell mungesa e marrëveshjes. Të gjitha subjektet politike që ishin në takim thanë se duhet të kontribuojnë maksimalisht për çështjen e presidentit dhe të shmangen zgjedhjet”, ka shtuar ajo.

Haxhiu tha se partitë politike duhet të flasin për çështjet që janë të domosdoshme për funksionimin e shtetit, duke e cilësuar pozitën e presidentit si një prej çështjeve kryesore.

“Çështja që duhet ta trajtojmë me seriozitet është çështja e presidentit. Kryeministri Kurti e theksoi se i ka votat për kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë dhe çështja është te marrëveshja për presidentin”, tha Haxhiu.

Tutje, ushtruesja e detyrës së presidentes u shpreh se partitë politike duhet të nisin diskutimet për gjetjen e një kandidati konsensual për pozitën e presidentit. /rtk/

Share This