Netanyahu akuzon Hamasin se po “u pret bukën” pengjeve izraelite “siç bënin nazistët me hebrenjtë”

Netanyahu akuzon Hamasin se po “u pret bukën” pengjeve izraelite “siç bënin nazistët me hebrenjtë”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe grupi palestinez Hamas kanë shkëmbyer akuza ndaj njëri-tjetrit për krizën e urisë që po kalon Gaza muajt e fundit.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi të dielën se gjashtë qytetarë të tjerë gjetën vdekjen për shkak të urisë, duke e çuar në 175 numrin e atyre që kanë ndërruar jetë për këtë shkak.

Duke e shmangur temën gjatë një deklarate për shtyp, kryeministri Netanyahu tha se përgjegjësia për situatën bie mbi Hamasin, që refuzon të pranojë armëpushimin dhe të lirojë dhjetëra pengje. Kryeministri dënoi nxjerrjen me video të dy prej pengjeve izraelite nga ana e grupit Hamas, të cilët u shfaqën të kequshqyer në pamje, ndërsa i kërkoi shefit të Kryqit të Kuq për rajonin që të ndërhyjë për t’u çuar atyre ndihma dhe medikamente.

E shihni se si po lëngojnë në ato burgjet e nëndheshme, ndërsa monstrave të Hamasit që i rrethojnë u varen krahët nga mishtë. Ata kanë gjithçka që duan për të ngrënë. Atyre po ua presin bukën siç bënë nazistët me hebrenjtë. Dhe kur shoh këto e dinë shumë mirë se çfarë do Hamasi. Ata nuk duan marrëveshje. Ata duan të na thyejnë me këto video horror përmes propagandës false horror që po përhapin nëpër botë. Por ne nuk do të thyhemi!” deklaroi kryeministri izraelit.

Një zyrtar i lartë i grupit palestinez, ndërkohë, tha se politika e “qeverisë naziste” të Netanyahu-t për t’i prerë bukën dhe ujin popullsisë së Gazës tani po prek edhe vetë pengjet izraelite. Ai tha se kushtet në të cilat gjenden ata janë pasojë e vendimeve të Izraelit.

Anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Izzat al-Rishq tha se forcat e rezistencës palestineze i trajtojnë robërit sipas parimeve fetare dhe humanitare, duke ndarë ushqimin dhe ujin me ta, sikurse bëjnë me gjithë popullatën palestineze. Ai kujtoi se pengjet izraelite më parë janë liruar në gjendjen të mirë fizike dhe mendore, ndërsa tani po vuajnë urie dhe kanë humbur peshë për shkak se nuk mjaftojnë më ushqimet.

Sipas Tel-Avivit, në Gazë ndodhen rreth 50 izraelitë të kapur prej sulmit fillestar të Hamasit në tetor 2023. Ndërkohë, Izraeli po mban të burgosur mbi 10.800 palestinezë, sipas grupeve për të drejtat e banorëve palestinezë dhe izraelitë. /rtsh/

Share This