
“Nëse do ishim vonuar 10 minuta, askush nuk do të kishte mbijetuar” / Mësuesi hero në Nepal shpëton 900 fëmijë nga përmbytjet vdekjeprurëse
Një drejtor shkolle në Nepal është vlerësuar si hero, pasi me vendimin e tij të menjëhershëm për evakuimin e ndërtesës shpëtoi jetën e të paktën 900 nxënësve nga përmbytjet vdekjeprurëse.
Tragjedia ka marrë jetën e të paktën 903 personave, ndërsa mbi 4,200 të tjerë raportohen të zhdukur.
Rajendra Dhawadi, drejtori i shkollës, mori katër telefonata paralajmëruese vetëm pak minuta para se ujërat të arrinin zonën.
Ai urdhëroi nxënësit të vraponin drejt vendeve më të larta dhe autobusët e mbushur me fëmijë të largoheshin menjëherë.
“Nëse do të kishim vonuar qoftë edhe 10 minuta, askush prej nesh nuk do të kishte mbijetuar,” deklaroi ai.
Një prind e paralajmëroi personalisht se po afrohej një përmbytje e madhe, çka e shtyu drejtorin të mos humbiste asnjë sekondë.
“Vendosa të mos vonohesha më. Edhe nëse përmbytja nuk do të vinte, ishin thjesht mësimet e ditës. Ndihem krenar që shpëtuam kaq shumë jetë,” theksoi Dhawadi.
Ujërat u rritën me shpejtësi, duke mbuluar ndërtesën e shkollës me baltë dhe mbeturina. Një bujtinë vetëm 100 metra larg lumit u përmbyt menjëherë.
Studentja 16-vjeçare Yunisa Amatia kujtoi momentet e frikshme duke thënë se “Unë dhe miqtë e mi shpëtuam vetëm për 10 sekonda.
Në klasë nuk e kuptuam sa serioze ishte situata, derisa mësuesit na urdhëruan të iknim. Në rrugë njerëzit shtynin njëri-tjetrin për të arritur në siguri.”
Nxënësit dhe mësuesit u zhvendosën fillimisht në një pikë më të lartë, përpara se të strehoheshin në një fshat fqinj.
Për shkak të rrugëve të bllokuara dhe transportit të ndërprerë, shumë prej tyre mbetën të izoluar për dy netë, derisa ekipet e shpëtimit arritën tek ta. /rtsh/

