PDK mobilizon strukturat për “Marshin për Liri” më 12 shtator në Prishtinë

PDK mobilizon strukturat për “Marshin për Liri” më 12 shtator në Prishtinë

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje të përbashkët të Grupit Parlamentar, Kryesisë së Partisë dhe kryetarëve të degëve, me fokus koordinimin dhe organizimin për pjesëmarrje në “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të çlirimtarëve.

Gjatë takimit është diskutuar për angazhimin organizativ dhe mobilizimin e strukturave të PDK-së në të gjitha degët, me qëllim që pjesëmarrja në këtë marsh të jetë sa më e gjerë dhe dinjitoze.
PDK vlerëson se “Marshi për Liri” ka një rëndësi të veçantë kombëtare dhe qytetare, duke e cilësuar atë si shprehje të respektit për luftën çlirimtare, sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Në mbledhje është theksuar nevoja që të gjitha strukturat e partisë të angazhohen në informimin dhe organizimin e qytetarëve që dëshirojnë t’i bashkohen marshit, duke ruajtur karakterin qytetar, paqësor dhe gjithëpërfshirës të këtij aktiviteti.

Sipas PDK-së, mbështetja për çlirimtarët është njëkohësisht mbështetje për historinë e luftës së UÇK-së dhe për vlerat mbi të cilat është ndërtuar liria dhe shteti i Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur gjithashtu pritjen që më 16 shtator drejtësia të triumfojë dhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen të pafajshëm, për t’u kthyer pranë familjeve dhe qytetarëve të Kosovës.

Share This