
“Nën hijen e një peme u ula dhe qava” shfaqet në festivalin e Oslos
Shfaqja “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”, e cila deri më tani ka marrë vlerësime të shkëlqyera nga kritika ndërkombëtare, do të shfaqet në Teatrin Black Box në Oslo më 12 dhe 13 qershor 2026, duke filluar nga ora 19:00. Ajo është pjesë e festivalit prestigjioz Heddadagene, një prej ngjarjeve më të rëndësishme teatrore në Norvegji.
Në këtë produksion interpretojnë aktorët e mirënjohur shqiptarë Arben Bajraktaraj, Ilire Vinca dhe Amernis Nokshiqi, së bashku me një ansambël të gjerë artistësh nga Kosova dhe Afrika e Jugut. Regjinë e shfaqjes e ka realizuar Blerta Neziraj, ndërsa teksti është shkruar nga Jeton Neziraj.
Shfaqja trajton Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë në vitin 1990 dhe Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin në Afrikën e Jugut në vitin 1995, duke sjellë në skenë dy procese historike që synuan tejkalimin e konflikteve dhe ndërtimin e pajtimit shoqëror.
Ajo që nisi si një nismë e vogël për pajtimin e gjaqeve në Kosovë u shndërrua shpejt në një lëvizje mbarëkombëtare. Në tubime publike, nëna, baballarë dhe anëtarë të familjeve dilnin para mijëra njerëzve dhe falnin gjakun e të afërmve të tyre. Gjatë këtij procesi u organizuan dhjetëra tubime pajtimi dhe u falën 1.275 gjaqe e ngatërresa. Mbi gjysmë milioni njerëz morën pjesë në tubimin përmbyllës të pajtimit në Verat e Llukës.
Shfaqja është vlerësuar lart edhe nga mediat ndërkombëtare. Deutschlandfunk Kultur nga Gjermania e përshkroi atë si “një produksion të rëndësishëm”, duke veçuar energjinë dhe humorin e interpretimit, si dhe bashkëpunimin artistik mes aktorëve nga Kosova dhe Afrika e Jugut, raporton rtk.
Pas prezantimit në Afrikën e Jugut në prill të vitit 2026, shfaqja do të vazhdojë turneun e saj evropian gjatë këtij viti dhe do të prezantohet edhe në New York në mars të vitit 2027.

