
Ndahet nga jeta aktori i njohur shqiptar Birçe Hasko, “Mjeshtër i Madh” i skenës dhe ekranit shqiptar
Aktori i njohur shqiptar, Birçe Hasko është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare.
Birçe Hasko lindi në Dukat të Vlorës më 15 mars 1942. Pas mbarimit të shkollës së mesme, punoi si mësues në Memaliaj, ku u angazhua edhe me trupën e Estradës amatore të qytetit.
Në vitin 1965 nisi studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve. Pas diplomimit, u emërua pedagog pranë këtij institucioni, ku dha lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit dhe më vonë mori titullin “Profesor”.
Në teatër interpretoi mbi 12 role, ndërsa një nga realizimet më të vlerësuara mbetet roli i Milos në komedinë “Shi në plazh” të Teodor Laços.
Kontribut të rëndësishëm dha edhe në kinematografinë shqiptare, ku interpretoi në më shumë se 30 filma. Roli i tij i parë në kinema ishte ai i Sulo Ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”. Më pas spikati me role në filma si “Radiostacioni”, “Skëterrë 43”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Dhe vjen një ditë,” “Shkëlqim i përkohshëm” dhe “Kronikë provinciale”.
Për kontributin e tij artistik, Birçe Hasko është vlerësuar me një sërë titujsh dhe çmimesh. Në vitin 1976 u dekorua me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të dytë, ndërsa në vitin 1988 mori titullin “Artist i Merituar”. Në Festivalin e VII të Filmit Shqiptar, të zhvilluar në Tiranë në prill 1987, u vlerësua me Medaljonin e Festivalit për interpretimin në filmin “Dhe vjen një ditë”. Dy vite më vonë, në Festivalin e VIII të Filmit Shqiptar, fitoi Çmimin e III për rolin e babait të Danës në filmin “Shkëlqim i përkohshëm”.
Në vitin 2002 u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”, ndërsa në vitin 2007 u shpall “Qytetar Nderi” i Orikumit.
Birçe Hasko mbetet një nga figurat më popullore të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, si artist dhe pedagog që kontribuoi në formimin e brezave të tërë të aktorëve shqiptarë. /atsh/

