NBA/Lakers fitojnë në fund ndaj Philadelphia, Warriors përmbysin Suns në Arizona

NBA/Lakers fitojnë në fund ndaj Philadelphia, Warriors përmbysin Suns në Arizona

Los Angeles Lakers regjistruan një fitore të rëndësishme ndaj Philadelphia 76ers në Kaliforni, në një ndeshje të vendosur vetëm në minutat e fundit, me rezultatin 119-115.

Sfida u komplikua për vendasit në periodën e dytë, kur Luka Donçiç u detyrua të largohej nga parketi për shkak të një problemi në këmbën e majtë. Megjithatë, Austin Reaves mori mbi supe peshën e ekipit dhe u shpall lojtari i ndeshjes, duke realizuar 35 pikë për vetëm 25 minuta lojë.

Në anën tjetër, Philadelphia nuk arriti ta shmangte humbjen, pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer të dyshes Joel Embiid, me 35 pikë, dhe Tyrese Maxey, i cili kontribuoi me 26 pikë dhe 13 asistime.

Fitore me peshë arriti edhe Golden State Warriors, që triumfuan 101-97 në transfertë ndaj Phoenix Suns. Ekipi nga San Francisko u paraqit në Arizona me mungesa të shumta, teksa Draymond Green ishte i vetmi titullar i zakonshëm në formacionin fillestar.

Suns menduan se e kishin siguruar fitoren në periodën e katërt, pasi ndërtuan një avantazh prej 14 pikësh, por Warriors reaguan fuqishëm në minutat e fundit. Një seri vendimtare 22-5 u mundësoi miqve të përmbysnin rezultatin dhe të largoheshin me fitore.

Heronjtë e kësaj sfide për Golden State ishin dy lojtarë nga stoli: Pat Spencer, autor i 20 pikëve, dhe De’Anthony Melton, që shtoi 17 pikë.

Rezultatet e tjera të natës në NBA:

Detroit Pistons – Washington Wizards 117-126

Orlando Magic – Brooklyn Nets 118-98

Atlanta Hawks – Utah Jazz 121-119

Toronto Raptors – Chicago Bulls 123-107

Houston Rockets – Charlotte Hornets 99-109

Dallas Mavericks – San Antonio Spurs 123-135

Phoenix Suns – Golden State Warriors 97-101

Los Angeles Lakers – Philadelphia 76ers 119-115 /Rekordi.net

Share This