
NATO mirëpret dërgimin e 5 mijë trupave të SHBA-së në Poloni
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar dërgimin e 5 mijë trupave shtesë në Poloni, në një kohë kur SHBA-të po rishikojnë praninë e tyre ushtarake në Evropë dhe mes rritjes së tensioneve ndërkombëtare.
Trump deklaroi se vendimi lidhet edhe me marrëdhëniet e mira me presidentin polak, Karol Nawrocki. Njoftimi vjen vetëm një javë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, anuloi rotacionin e një brigade luftarake amerikane në Poloni dhe në disa shtete të tjera të Evropës Lindore.
Hegseth kishte argumentuar se disa vende evropiane nuk kanë kontribuar mjaftueshëm në sigurinë kolektive. Ky zhvillim pason gjithashtu tërheqjen e rreth 5 mijë trupave amerikane nga Gjermania, pas tensioneve mes administratës Trump dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz lidhur me çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme.
Megjithatë, autoritetet polake kanë bërë të ditur se njoftimi i fundit nuk pritet të ndryshojë ndjeshëm numrin aktual të trupave amerikane në vend, i cili arrin rreth 10 mijë ushtarë. Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, tha se prania amerikane do të mbetet “pak a shumë në nivelet e mëparshme”.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Suedi, theksoi se lëvizjet ushtarake të SHBA-së nuk janë “ndëshkuese”, por pjesë e një riorganizimi global të forcave amerikane. Ai përsëriti thirrjen që vendet anëtare të NATO-s të rrisin investimet në mbrojtje dhe të ndajnë barrën e sigurisë brenda aleancës, raporton rtk.
Në reagimin e tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mirëpriti njoftimin e Trump për dërgimin e trupave në Poloni, por theksoi se synimi mbetet ndërtimi i një Evrope më të fortë dhe një NATO-je më të pavarur, më pak të varur nga një aleat i vetëm.

