
Muriqi: Na ka mbetur edhe një hap për të shkruar historinë
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka thënë se është tejet i lumtur me fitoren kundër Sllovakisë.
Dardanët mbrëmë triumfuan në Bratislavë duke mundur Sllovakinë, me rezultat 4-3, dhe duke bërë hapin e madh në garën për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Muriqi duke folur për faqen zyrtare të FFK-së, ka thënë se fitorja ndaj sllovakëve është shumë e rëndësishme. Ai pohon se tashmë Kosovës i ka mbetur edhe një hap për të shkruar historinë.
“Jemi shumë të lumtur. Një fitore shumë e rëndësishme. Kemi pasur tifozë anë mbanë Evropës të cilët na kanë përkrahur dhe i falënderojë shumë, ju lumshin këmbët që erdhën”, ka thënë Muriqi.
“Një fitore shumë e rëndësishme. Tani po festojmë, po kënaqemi sepse e kemi merituar, por kjo akoma nuk është asgjë. Na ka mbetur edhe një hap i vogël për të arritur Kupën e Botës, për të shkruar historinë”, ka theksuar ai.
Sulmuesi i Mallorcas, ka folur edhe për ndeshjen me Turqinë, sfidë që luhet të martën mbrëma në ‘Fadil Vokrri’.
“E kam thënë gjithmonë së kulmi për çdo futbollistë është ta përfaqësojnë vendin e vet në Kupën e Botës dhe shpresoj së do të arrijë qëllimin tim personal. Presim përkrahjen në lojën e fundit kundër Turqisë. Na duhet përkrahje e madhe kundër Turqisë, sepse është një ekip më i fortë se Sllovakia dhe do të japim maksimumin sikurse në këtë ndeshje dhe më përkrahjen e tifozëve do të jetë më lehtë për ne”, ka pohuar Muriqi.
Kujtojmë së Kosova të martën kundër Turqisë luan finalen e madhe të pley-off-it, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.


