Murati: Paga e 13-të e premtuar do t’u jepet punëtorëve të sektorit publik

Murati: Paga e 13-të e premtuar do t’u jepet punëtorëve të sektorit publik

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur në një konferencë për media pas mbledhjes së parë të kabinetit të ri qeveritar, duke shpjeguar vendimin për riorganizimin e disa ministrive. Ai tha se ndryshimet nuk lidhen me nevojën për të akomoduar koalicione, pasi qeveria ka shumicën e nevojshme, por me synimin për të përmirësuar efikasitetin. Murati, tha se paga e 13-të, e premtuar më parë, do t’u jepet punëtorëve të sektorit publik.

“Ka pasur raste ku disa dikastere me fushëveprim të gjerë nuk arritën sinergjinë e synuar. Prandaj, po bëhet riorganizim, si tek Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administrata Publike me digjitalizimin, në mënyrë që të dy fushëveprimet të jenë më efikase,” tha Murati.

Ai u ndal edhe tek çështja e presidentit, duke shtuar se pas trajtimit të konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, kryeministri do të nisë konsultimet me partitë për të zgjedhur presidentin ose presidenten.

“Besoj që e dëgjuat kryeministrin që përmendi që ë momentin që të i kemi të trajtuar konstituimin e kuvendit, Qeverinë dhe votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, kryeministri do të fillojë konsultimet dhe diskutime me subjektet e tjera në mënyrën që të tejkalohet edhe sida e radhës që na pret që është çështja e presidentit apo presidentes”, tha ai.

Tutje, Murati, ka sqaruar se paga e 13-të, e premtuar më parë, do t’u jepet vetëm punëtorëve të sektorit publik që kanë marrë 12 paga gjatë vitit. Ata që sapo kanë filluar punën do të mund të përfitojnë pagën e 13-të vetëm pasi të arrijnë tek paga e 12-të.

“Kjo parashihet që paga e 13-të vjen për ata që i kanë marrë 12 paga. Nëse dikush ka filluar rishtazi, do ta marrë pagën e parë në vitin e ardhshëm. Pra, paga e 13-të paguhet për punëtorët që kanë punuar së paku 12 muaj dhe marrin pagë nga buxheti i shtetit,” tha Murati, raporton rtk.

Ai ka folur edhe për paraqitjen periodike të pensionistëve, të cilët më parë duhej të paraqiteshin çdo gjashtë muaj. Murati theksoi se vendimi i Gjykatës Supreme ka shfuqizuar vetëm udhëzimin administrativ që e kërkonte këtë paraqitje për pensionistët kontributiv, ndërsa paraqitja e pensionistëve bazik mbetet e paraparë në ligj.

“Gjykata Supreme ka shfuqizuar nenin e udhëzimit administrativ që kërkonte paraqitjen çdo 6 muaj të pensionistëve kontributiv, por kategoritë e tjera nuk preken,” sqaroi Murati.

Share This