Murati fajëson opozitën për mungesën e pagave të RTK-së: Po bllokojnë Kuvendin për muaj të tërë

Murati fajëson opozitën për mungesën e pagave të RTK-së: Po bllokojnë Kuvendin për muaj të tërë

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kritikave për vonesën e pagave të punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), duke thënë se përgjegjës për këtë situatë janë partitë opozitare që, sipas tij, po e mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit.

Murati theksoi se buxheti i RTK-së alokohet me vendim të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ndërsa Thesari vetëm ekzekuton pagesat pas këtij vendimi.

“Komisioni për Buxhet nuk ekziston aktualisht, sepse partitë opozitare po e mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit tash e disa muaj. Të njëjtit që po e mbajnë Kuvendin të bllokuar, tani po mundohen që mungesën e alokimit të buxhetit t’ia faturojnë Qeverisë”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ai kujtoi se në dhjetor 2024, Komisioni për Buxhet, nën kryesimin e Armend Mujës, kishte miratuar pagesën e këstit për RTK-në jo për 3 muaj, si zakonisht, por për 6 muaj (janar–qershor 2025), duke parashikuar vonesa të mundshme pas zgjedhjeve.

Murati akuzoi PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se po mbajnë Kuvendin të bllokuar “vetëm sepse janë kundër që Albulena Haxhiu të zgjidhet Kryetare e Kuvendit”, duke shtuar se “kapaciteti destruktiv i tyre tejkalon çdo imagjinatë”.

Sipas tij, opozita nuk është deklaruar asnjëherë lidhur me kërkesën që posti i nënkryetarit të Kuvendit t’i takojë dikujt që nuk vjen nga Lista Serbe, duke ironizuar se “për opozitën bën Lista Serbe për nënkryetar, por nuk bën Albulena Haxhiu për Kryetare”.

Share This