
Murati akuzon Abdixhikun për mosvotimin e buxhetit të Prishtinës: Po e bëni betejën politike në kurriz të qytetarëve
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas situatës së krijuar me bllokimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025.
Në një deklaratë publike, Murati i ka bërë thirrje Abdixhikut t’u shpjegojë qytetarëve arsyet e mosvotimit të buxhetit në seancën e fundit të Kuvendit Komunal.
“Lumir Abdixhiku, tregoju qytetarëve të Komunës së Prishtinës pse nuk e votuat buxhetin e Prishtinës për vitin 2025! Po ta kishit votuar buxhetin, sot Komuna e Prishtinës do ta kishte në dispozicion buxhetin e plotë dhe s’do të kishte asnjë problem financiar,” ka deklaruar Murati.
Ai e akuzoi LDK-në se po e përdor qytetin për qëllime politike, duke thënë se mosvotimi i buxhetit ka sjellë pasoja direkte te shërbimet komunale, përfshirë edhe ndërprerjen e transportit publik.
“Ju vendosët që betejën politike ta bëni në kurriz të qytetarëve duke mos e votuar buxhetin,” shtoi ai.
Reagimi i ministrit vjen në të njëjtën ditë kur Trafiku Urban njoftoi se ndalon operimin nga 24 nëntori, duke e lidhur situatën pikërisht me bllokimin e buxhetit.
Nga ana e Abdixhikut dhe LDK-së ende nuk ka ndonjë përgjigje për deklaratat e Muratit.


