
Mot i paqëndrueshëm në Kosovë dhe Shqipëri gjatë fundjavës
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë parashikimin e motit për fundjavën, duke njoftuar se të shtunën në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët. Sipas IHK-së, vranësirat vende-vende pritet të sjellin riga shiu të përziera me borë, kryesisht në pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 2 deri në 4 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra në sekondë.
Për të dielën, IHK parashikon mot të vranët me intervale me diell, ndërsa vranësirat lokale mund të shoqërohen me riga shiu.
Ndërkohë, edhe në Shqipëri parashikohet mot relativisht i paqëndrueshëm.Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se të shtunën do të ketë alternime të kthjellimeve përgjatë ultësirës perëndimore në pjesën e parë të ditës, ndërsa më vonë priten vranësira mesatare deri të dendura.
Sipas SHMU-së, vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet kryesisht të ulët në jug dhe pjesërisht në qendër të vendit, ndërsa gjatë orëve të pasdites pritet ndërprerja e reshjeve në të gjithë territorin. Në zonën e Alpeve dhe në relievet e larta malore parashikohen reshje bore me intensitet të ulët.


