
Moska reagon pas deklaratave të Trumpit pro-Kievit. Peskov: Vullneti i presidentit amerikan mbetet arritja e paqes
Kremlini deklaroi të enjten se beson që presidenti amerikan Donald Trump mbetet i përkushtuar për të punuar drejt paqes në Ukrainë, pavarësisht ndryshimeve të fundit në retorikën e tij pro-Kievit.
Komentet e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, vijnë pasi Trump deklaroi të martën, pas një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, se beson që Ukraina mund të rimarrë të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia, e cila aktualisht kontrollon rreth 20% të vendit dhe se “është koha për të vepruar”, për shkak të vështirësive ekonomike me të cilat përballet Moska.
Zëvendëspresidenti i Trump, J.D. Vance, deklaroi një ditë më parë se presidenti amerikan po humb durimin me Rusinë, pasi “nuk po sjell mjaftueshëm në tavolinë për t’i dhënë fund luftës”.
“Nëse rusët refuzojnë të negociojnë me mirëbesim, kjo do të ketë pasoja shumë të rënda për ta. Kjo është ajo që presidenti ka bërë të qartë. Nuk është ndërrim qëndrimi, por një reflektim i realitetit në terren,” tha Vance.
I pyetur për këto deklarata, Peskov tha se nuk i sheh si kundërthënëse me synimet e deklaruara nga Uashingtoni për të ndihmuar në përfundimin e luftës.
“Jo, nuk i konsiderojmë kontradiktore. Në fakt, po shohim një ndryshim në retorikë nga Uashingtoni. Për momentin, besojmë se SHBA dhe presidenti Trump ruajnë vullnetin politik për të vazhduar përpjekjet drejt një zgjidhjeje paqësore në Ukrainë,” tha zëdhënësi i Kremlinit.
Kremlini tha se beson që Presidenti i SHBA-së Donald Trump mbetet i përkushtuar për të punuar drejt paqes në Ukrainë, pas një ndryshimi të mprehtë në retorikën pro-Kievit të udhëheqësit të SHBA-së në fillim të kësaj jave.
Gjithashtu ai, tha se ata mbështesin thirrjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për heqjen dorë nga zhvillimi i armëve biologjike.
“Kjo është një thirrje shumë e rëndësishme dhe mund të mirëpritet. Sigurisht, pala ruse është e gatshme të marrë pjesë në procesin e braktisjes së armëve biologjike. Do të ishte mirë ta dokumentonim këtë në nivel ndërkombëtar. Kjo është një iniciativë shumë e mirë. Sigurisht, Moska e mbështet atë“, tha Peskov. /rtsh/

