
Monchi zbulon arsyet pse Aston Villa humbi Asension
Ish-drejtori sportiv i Aston Villës, Monchi, ka folur për largimin e Marco Asensios gjatë verës, pas paraqitjeve të shkëlqyera të spanjollit në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar.
Asensio iu bashkua Aston Villës në formë huazimi nga Paris Saint-Germain në janar dhe u bë një nga lojtarët kyç në skuadrën angleze.
Megjithatë, gjatë afatit kalimtar të verës, sulmuesi anësor përfundoi te Fenerbahçe, duke mos u rikthyer në “Villa Park”.
Në një intervistë për “El Desmarque”, Monchi u shpreh i befasuar që marrëveshja nuk u arrit.
“Po, po, isha i befasuar, sepse mendoja se ai do të përfundonte te Aston Villa, që ishte edhe objektivi ynë. Por, në fund, gjithçka u komplikua për arsye financiare, pasi PSG ishte shumë e ashpër në negociata”, tha ai.
Monchi shtoi se edhe vetë lojtari ndjeu pasiguri gjatë procesit të transferimit.
“Marco ishte i shqetësuar, nervoz, sepse e shihte tregun e transferimeve duke vazhduar dhe marrëveshja nuk po përmbyllej. Për këtë arsye, ai vendosi të bashkohej me Fenerbahçen. Uroj të ketë fat atje”, theksoi Monchi.
Drejtori spanjoll pranoi se Aston Villa kishte besim të madh në rikthimin e Asensios.
“Është e vërtetë që të gjithë mendonim se do ta rikthenim, sepse ai kishte pasur një gjashtëmujor fantastik me ne,” pohoi Monchi.
A29 vjeçari aktualisht është pjesë e Fenerbahçes, ku po kërkon të rigjejë formën më të mirë pas një sezoni mbresëlënës në Premier League.


