
Mirlind Daku shkëlqen me dopietë ndaj Sochit: Kur një sulmues shënon dy gola, atëherë ke fituar duelin me mbrojtjen
Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, Mirlind Daku, ishte protagonist absolut në fitoren 2-1 të Rubin Kazan ndaj Sochit, duke realizuar të dy golat për skuadrën e tij.
Pas përfundimit të takimit, Daku ndau emocionet dhe mendimet për ndeshjen, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit dhe luftës në fushë.
“E nisëm mirë ndeshjen, por më pas Sochi u përmirësua. Gjatë pushimit, thamë se nuk mund ta humbnim përqendrimin dhe se duhej të shënonim një gol tjetër. Megjithatë, ata arritën ta ngushtonin diferencën dhe ndeshja ishte e tensionuar deri në fund,” tha Daku.
I pyetur për duelin me mbrojtjen kundërshtare, ai u shpreh me humor e vendosmëri:
“Kur një sulmues shënon dy gola, atëherë po, ai del fitues në një duel me mbrojtjen. Nuk ishte e lehtë kundër tyre, ata luajtën shkëlqyeshëm, por në fund të fundit, unë dola fitues në atë duel.”
Daku nuk la pa përmendur edhe një gjest të veçantë dedikuar bashkëlojtarit Oleg Ivanov:
“Kur shënova golin e parë, përshëndeta Oleg Ivanovin, tregova se ia dedikoja atij për ditëlindje. Fatkeqësisht, nuk pata kohë të blija një dhuratë, por ndoshta nuk ishte e nevojshme, sepse loja jonë në fakt u bë një dhuratë.”
Forma e lartë e Daku-t pritet të jetë një lajm i mirë për Rubin Kazan dhe një sinjal pozitiv për trajnerin e Kombëtares shqiptare.


