
Ministria ruse: Goditëm anije ukrainase me furnizime ushtarake, flakë në një depo të Wildberries
Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat e saj kanë goditur tre anije në ujërat ukrainase të Detit të Zi, të cilat, sipas Moskës, transportonin furnizime ushtarake. Gjithashtu, autoritetet ruse thanë se është goditur edhe një anije mallrash në portin e Mykolaiv.
Pretendimet janë bërë përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin Telegram nga Ministria Ruse e Mbrojtjes. Deri më tani nuk ka pasur një reagim nga pala ukrainase dhe informacioni nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë, kompania ruse e tregtisë elektronike Wildberries bëri të ditur se një zjarr ka shpërthyer në një nga qendrat e saj logjistike në rajonin Vladimir, pas një sulmi.
Sipas kompanisë, i gjithë stafi është evakuuar në kohë, ndërsa ekipet e zjarrfikësve ndodhen në vendngjarje për shuarjen e flakëve. Wildberries theksoi se nuk ka raportime paraprake për të lënduar dhe se operacionet e furnizimit janë zhvendosur në objekte të tjera për të garantuar vazhdimësinë e dërgesave për klientët.
Ngjarjet vijnë në një kohë kur sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës vijojnë si në vijën e frontit, ashtu edhe ndaj infrastrukturës strategjike dhe logjistike në të dyja vendet. /rtsh/

