Milani insiston për Ardon Jasharin, gati oferta e re

Milani insiston për Ardon Jasharin, gati oferta e re

AC Milan nuk dorëzohet në garën për Ardon Jasharin dhe është gati të paraqesë një ofertë të re dhe të përmirësuar për mesfushorin e talentuar shqiptar.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, “Rossonerët” kanë vendosur të ndryshojnë ofertën, duke rritur shumën fikse në 35 milionë euro të garantuara, ndërsa do të ulin ndjeshëm bonuset e lidhura me paraqitjet e lojtarit.

Edhe pse vlera totale e ofertës mbetet e ngjashme me propozimin e mëparshëm prej 32.5 milionë euro plus bonuse, Milani shpreson se oferta e re do të jetë më e pranueshme për drejtuesit belgë.

Club Brugge ka insistuar vazhdimisht se është e gatshme ta lejojë largimin e Jasharit vetëm nëse merr 35 milionë euro në mënyrë të menjëhershme – kusht që tashmë duket se po përmbushet nga Milani.

Me këtë lëvizje të fundit, drejtori i përgjithshëm i klubit, Giorgio Furlani, synon të mbyllë marrëveshjen dhe t’ia dorëzojë trajnerit të ri Massimiliano Allegri një mesfushë tërësisht të rinovuar, që përfshin tashmë edhe Samuele Ricci dhe legjendën Luka Modric.

Negociatat janë në fazë vendimtare dhe palët shpresojnë të finalizojnë gjithçka në ditët në vijim.

Share This