
Miftaraj: Vendimi për 100 euro për fëmijë dhe pensionistë është mënyrë e përsosur për të blerë vota
Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD) ka reaguar ashpër pas vendimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për shpërndarjen e nga 100 eurove për fëmijë dhe pensionistë, në kulmin e fushatës zgjedhore dhe vetëm tri ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Miftaraj e ka cilësuar këtë vendim si “korruptiv” dhe si një tentativë të hapur për blerje votash.
“100 euro për fëmijë dhe pensionistë. Mënyrë e përsosur me ble vota”, ka shkruar ai, duke theksuar se bëhet fjalë për një ose dy vendime të shkurtra, pa bazë ligjore dhe pa arsyetim të bazuar, të cilat sipas tij i kushtojnë buxhetit të shtetit mbi 100 milionë euro.
Në reagimin e tij, Miftaraj ka akuzuar kryeministrin në detyrë dhe Lëvizjen Vetëvendosje se janë të gatshëm të qëndrojnë në pushtet “me çdo kusht”, përfshirë edhe përmes vendimeve që ai i quan korruptive.
“Albin Kurti dhe LVV e kanë jetë a vdekje me mbet në pushtet, me çdo kusht, përfshirë përmes vendimeve korruptive si në rastin konkret”, ka shkruar Miftaraj.
Ai ka përmendur gjithashtu edhe çështjen e sektorit të energjisë, duke thënë se, sipas tij, aktorë të caktuar janë të interesuar që qeverisja aktuale të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, për shkak të qasjes në buxhetin shtetëror.
Reagimi i Miftarajt vjen në një kohë kur vendimi për ndarjen e mjeteve financiare ka nxitur debat të madh në opinionin publik dhe në skenën politike, lidhur me ligjshmërinë dhe motivet e tij.


