
Marseille ndal PSG-në në “Klasiken” franceze
Klasikja e futbollit francez i takoi këtë herë Olimpik Marsejës, që përfitoi nga shpërqendrimi i rivalëve dhe mori një fitore me shumë peshë në startin e sezonit.
Ndeshja, e parashikuar të zhvillohej një ditë më parë, u shty për shkak të kushteve atmosferike, duke bërë që futbollistët e PSG-së të humbnin edhe mundësinë për të marrë pjesë në ceremoninë e “Topit të Artë”. Kjo solli një motiv shtesë për një përballje edhe më të zjarrtë sot në mitikun “Velodrome”.
Gjithçka u vendos që në minutat e para, kur mbrojtësi Nayef Aguerd shfrytëzoi një dalje të gabuar të portierit Shevalje dhe realizoi golin e vetëm të takimit, duke vulosur fitoren e Marsejës.
Me këtë rezultat, PSG ndalet pas katër fitoresh radhazi dhe nuk arrin të shkëputet në krye të renditjes, ndërsa Marseille tregon se është gati të rivalizojë seriozisht për objektivat madhorë të sezonit.


