
‘Marca’: Reali sërish do të bojkotojë ceremoninë e ‘Topit të Artë 2025’
Sipas asaj që raporton ‘Marca’, Real Madridi duket i vendosur të mos marrë pjesë në mbrëmjen gala të Topit të Artë 2025, që do të mbahet më 22 shtator në Paris.
Arsyeja lidhet me pakënaqësinë e klubit pas humbjes së Vinícius Júnior vitin e kaluar, kur çmimi shkoi për Rodrin e Manchester City-t.
Në vitin 2024, Reali kishte vendosur të mos merrte pjesë në ceremoni, pasi u njoftua vetëm në minutën e fundit se sulmuesi brazilian do të renditej i dyti. Edhe këtë vit, tensionet mes klubit dhe organizatorëve të France Football kanë mbetur të pandryshuara, pavarësisht një vizite të delegacionit të tyre në Madrid për të zbutur situatën. Përpjekja nuk pati sukses, dhe “Los Blancos” do të mbeten jashtë ceremonisë.
Ky bojkot vjen megjithëse disa nga yjet e Real Madridit janë mes të nominuarve:
Vinícius Júnior, Jude Bellingham dhe Kylian Mbappé në listën e 30 kandidatëve për Topin e Artë
Thibaut Courtois për Trofeun Yashin (portier më i mirë)
Dean Huijsen për Trofeun Kopa (talenti më i mirë i ri)
Mungesa e Realit në Theatre du Châtelet do të jetë një tjetër sinjal i marrëdhënieve të ftohta mes klubit madrilen dhe organizatorëve të çmimit më prestigjioz individual në futboll.


