Maqedonci: Investimet në mbrojtje synojnë forcimin e kapaciteteve dhe rrugën drejt NATO-s

Maqedonci: Investimet në mbrojtje synojnë forcimin e kapaciteteve dhe rrugën drejt NATO-s

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se investimet e Qeverisë së Kosovës në fushën e mbrojtjes kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve ushtarake për mbrojtjen e territorit dhe jetës së qytetarëve, si dhe për kontribut në siguri e paqe në rajon dhe më gjerë.

Në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore, ku po merr pjesë me ftesë të homologut sllovak, Robert Kalinak, Maqedonci ka theksuar vendosmërinë e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe BE, duke njoftuar mbi zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse në përputhje me standardet e NATO-s.

“Në fjalën time theksova vendosmërinë e vendit tonë në rrugën e integrimit euro-atlantik, anëtarësimit në NATO dhe BE. Gjithashtu njoftova të pranishmit rreth zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës, në përputhje dhe të ndërveprueshme me NATO, duke theksuar se investimet e qeverisë në mbrojtje kanë qëllim që të ndërtojmë kapacitete ushtarake të afta për të mbrojtur territorin dhe jetën e qytetarëve të Kosovës, si dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri regjionale dhe globale”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar me theks të veçantë edhe për bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe mundësitë e tjera të bashkëpunimit rajonal.

Share This