
Manchester United merr vendim për të ardhmen e Rashfordit
Manchester United raportohet se po shqyrton mundësinë e rikthimit të Marcus Rashfordit në planet e skuadrës për sezonin e ri, ndërsa klubi ka ndërmarrë një hap që shihet si përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me sulmuesin anglez, shkruan Rekordi.net.
Aktualisht, “Djajtë e Kuq” ndodhen në turneun parasezonal në Skandinavi, ndërsa Rashford vazhdon pushimet pas angazhimit me Anglinë në Kupën e Botës 2026, ku “Tre Luanët” arritën deri në gjysmëfinale.
28-vjeçari pritet t’i bashkohet skuadrës në Irlandë përpara ndeshjes miqësore ndaj Leeds United, më 12 gusht. Sipas raportimeve, ai është i gatshëm të punojë me trajnerin e ri, Michael Carrick, me të cilin gëzon një raport më të mirë sesa kishte me paraardhësin Ruben Amorim.
Rashford e kaloi sezonin 2025/26 në formë huazimi te Barcelona, pasi kishte mbetur jashtë planeve të Amorimit në “Old Trafford”. Megjithatë, klubi katalanas vendosi të mos aktivizojë opsionin për blerjen e tij, duke e rikthyer sulmuesin në Manchester United.
Edhe pse drejtuesit e klubit kishin qenë të hapur për një transferim të përhershëm të Rashfordit gjatë kësaj vere, e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë, pasi nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje me Unitedin që nga dhjetori i vitit 2024.
Sipas Daily Mirror, Manchester United i ka propozuar Rashfordit të marrë pjesë në dokumentarin e ri të Amazon, i cili do të realizohet pas marrëveshjes shumë milionëshe mes klubit dhe platformës së transmetimit.
Raportohet se futbollisti ende nuk i ka dhënë përgjigje klubit, por vetë ftesa konsiderohet si një sinjal se Manchester United dëshiron të rindërtojë marrëdhëniet me të, ndërsa pret edhe oferta konkrete për transferimin e tij gjatë afatit kalimtar veror. /Rekordi.net

