
Aston Villa mposht Liverpoolin dhe siguron Ligën e Kampionëve
Aston Villa ka siguruar pjesëmarrjen në UEFA Champions League përmes kampionatit, pasi mposhti Liverpool me rezultat 4-2 në Premier League, raporton Rekordi.net.
Skuadra e drejtuar nga Unai Emery u paraqit me formacion të plotë, pavarësisht finales së afërt në UEFA Europa League, dhe e nisi ndeshjen fuqishëm. Ollie Watkins rrezikoi që në minutat e para pas një kombinimi me Morgan Rogers, por portieri kundërshtar reagoi saktë.
Pas disa tentativave nga të dyja palët, vendasit kaluan në epërsi në fund të pjesës së parë, kur Rogers realizoi me një goditje të bukur pas një aksioni nga këndi.
Në pjesën e dytë, Virgil van Dijk barazoi për Liverpoolin pas një asistimi nga Dominik Szoboszlai.
Megjithatë, reagimi i Villa-s ishte i menjëhershëm – Rogers asistoi për Watkins, i cili riktheu avantazhin.
Sulmuesi anglez shënoi edhe një herë më pas, ndërsa John McGinn vulosi fitoren me një gol spektakolar. Goli i dytë i Van Dijk në fund shërbeu vetëm për statistikë.
Kjo fitore i jep Aston Villa-s një sukses të rëndësishëm historik, duke siguruar rikthimin në elitën e futbollit evropian.
Ndërkohë, Liverpool mbetet ende në garë për një vend në Ligën e Kampionëve, me fatin që mund të vendoset në ndeshjet e fundit të sezonit. /Rekordi.net
