Man City sonte pret Galatasarayn me mungesa të shumta

Manchester City sonte e pret Galatasarayn në stadiumin “Etihad”, në ndeshjen e fundit të fazës së ligës, në një moment kur skuadra e Pep Guardiolës po përballet me probleme të shumta për shkak të lëndimeve.

Skuadra angleze renditet aktualisht në vendin e 11-të në tabelë dhe ndodhet jashtë tetëshes së parë vetëm për shkak të golavarazhit. City synon fitore për të shmangur ndeshjet e plej-ofit dhe për të siguruar kualifikimin direkt në fazën tjetër të garës.

Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së madhe të takimit, Guardiola do të ketë vështirësi të mëdha në repartin defensiv. Mbrojtësit Josko Gvardiol (frakturë në këmbë), Ruben Dias (problem muskulor) dhe John Stones (lëndim në kofshë) do të mungojnë, duke e lënë mbrojtjen e Cityt të ekspozuar edhe një herë.

Edhe mesfusha do të jetë e cunguar, pasi mungojnë Mateo Kovaçiç (kyçi i këmbës), Oscar Bobb (kofsha), Nico Gonzalez (arsye të paspecifikuara) si dhe Savinho (kofsha). Për këtë të fundit, Guardiola ka deklaruar gjatë javës se rikthimi i tij ende nuk është i afërt.

“Savinho ende ka probleme. Dje vrapoi në fushë, kështu që ndoshta do t’i duhen dy ose tre javë, ndoshta edhe më pak, nuk e di ende”, ka thënë Guardiola.

Sa i përket Erling Haaland, raportohet se ai nuk ka ndonjë lëndim dhe është në gjendje të luajë, por mbetet e paqartë nëse do të startojë, pasi Guardiola po shqyrton mundësinë e pushimit të sulmuesit pas një periudhe të ngarkuar.

Ndërkohë, përforcimet e janarit, Antoine Semenyo dhe Marc Guehi, nuk kanë të drejtë paraqitjeje në këtë fazë dhe do të jenë të gatshëm vetëm për raundet eliminatore, çka do ta detyrojë Cityn të mbështetet edhe një herë te lojtarët e rinj për të plotësuar formacionin.

Share This