Kërkohet paraburgim për kryesuesit e dyshuar për falsifikim të votave

Prokuroria Themelore e Gjakovës njofton se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente për 15 kryesuesit e dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në Komunën e Malishevës.

Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar gjithsej 58 (pesëdhjetë e tetë) persona, prej të cilëve 15 (pesëmbëdhjetë) kryesues dhe 43 (dyzet e tre) komisionerë. Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërkaq, pas grumbullimit të provave relevante dhe intervistimit të tyre, 43 (dyzet e tre) komisionerët do të hetohen në procedurë të rregullt, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve”, thuhet në njoftim. /rtk/

Share This