
Leerdam, mbretëresha e patinazhit, e artë në Milano-Cortina 2026
Ajo është një nga sportistet më të njohura dhe më të ndjekura të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, falë jo vetëm rezultateve sportive, por edhe pranisë së saj të fuqishme në rrjetet sociale.
Holandezja Jutta Leerdam fitoi medaljen e artë në garën e patinazhit të shpejtësisë, duke u konfirmuar si mbretëresha absolute e këtij specialiteti. Me mbi 7 milionë ndjekës në platformat digjitale, Leerdam mbërriti në Olimpiadë nën një vëmendje të jashtëzakonshme mediatike, por presioni nuk ndikoi aspak në paraqitjen e saj sportive.
Në pistë, ajo ishte e paarritshme. Leerdam dominoi garën e 1000 metrave me autoritet të plotë, duke regjistruar kohën 1 minutë, 12 sekonda e 31 të qindtat – një rezultat që i solli medaljen e artë dhe njëkohësisht rekord olimpik.
Kjo fitore ka një domethënie të veçantë për sportisten holandeze. Katër vjet më parë, në Lojërat Olimpike të Pekinit, ajo ishte ndalur në medaljen e argjendtë. Në Milano-Cortina, historia ndryshoi, me një triumf që e ngjit Leerdam në kulmin e karrierës së saj.
Ish-lojtare e hokejit në akull, Jutta Leerdam ka ndërtuar ndër vite një karrierë të jashtëzakonshme në patinazhin e shpejtësisë, duke fituar gjashtë tituj botërorë.
Medalja e artë olimpike përfaqëson kulmin e një rrugëtimi që e ka shenjtëruar përfundimisht, si sportiste elitare dhe si figurë e njohur publike.
E lindur më 30 dhjetor 1998 në ’s-Gravenzande, në jug të Holandës, Leerdam ka nisur të merret me patinazh në moshën 11-vjeçare.


