
Leclerc mohon thashethemet për një transferim te Aston Martin: Nuk largohem nga Ferrari
Charles Leclerc nuk ka ndërmend të largohet nga Ferrari, e aq më pak të transferohet te Aston Martin në vitin 2027.
Piloti monegask mohoi thashethemet për një transferim te skuadra britanike në prag të Çmimit të Madh të Katarit, duke konfirmuar dëshirën e tij për të vazhduar “historinë e tij të dashurisë” me Ferrarin.
“Kur kalon një kohë të vështirë, dhe Ferrari po e kalon, padyshim që ka shumë më tepër thashetheme. Por, siç e kam thënë gjithmonë, e dua këtë ekip. Gjëja e rëndësishme është që thashethemet të mos ndërhyjnë në punën tonë, dhe kjo nuk po ndodh”, shpjegoi Leclerc në konferencën për shtyp.
“Kjo është ajo që më bën të lumtur, jemi shumë të bashkuar dhe shumë të motivuar për të provuar të ndryshojmë situatën aktuale. Shpresoj vërtet që të kemi një fundjavë të veçantë, edhe pse e kam thënë për një kohë të gjatë. Por po përpiqemi, gjithashtu, t’i heshtim këto thashetheme”.


