
LDK akuzon Kurtin për krizë ekonomike dhe bllokim të institucioneve
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike dhe ekonomike në vend, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe aleatët e tij për bllokim të institucioneve dhe thellim të krizës ekonomike.
Bajrami ka thënë se sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), norma e inflacionit ka arritur në 4.3%, ndërsa për shportën bazë të konsumit inflacioni është në shifra dyshifrore. Ajo ka theksuar se deficiti tregtar po thellohet, investimet kapitale janë më të ulëtat në histori dhe institucionet financiare përballen me mungesë të likuiditetit.
Sipas saj, bizneset po përballen me rritje deri në 300% të çmimit të energjisë elektrike, duke e bërë edhe më të vështirë gjendjen ekonomike në vend.
Në reagimin e saj, ish-ministrja e Financave ka akuzuar Kurtin se ka faktorizuar Listën Serbe dhe se është bërë aleat me të në bllokimin e institucioneve të Kosovës.
“Politika korruptive e Albin Kurtit arriti ta faktorizojë Listën Serbe, duke e bërë aleate në bllokimin e institucioneve për një pozitë krejtësisht të parëndësishme në Kryesinë e Kuvendit”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka theksuar se qytetarët po përballen çdo ditë me çmime të larta ushqimore, fatura të rritura të energjisë, paga të zhvlerësuara, mungesë barnash në spitale dhe mungesë perspektive.
Në fund të reagimit, Bajrami u shpreh se Qeveria Kurti, e cila po hyn në vitin e pestë të mandatit, nuk ka sjellë asnjë të mirë për vendin, përveç, siç tha ajo, “korrupsionit galopant”.


