Laporta: Jam i bindur se Yamal do ta fitojë ‘Topin e Artë’

Laporta: Jam i bindur se Yamal do ta fitojë ‘Topin e Artë’

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka reaguar pas ceremonisë së ‘Topit të Artë 2025’, ku sulmuesi i PSG-së, Ousmane Dembele, u shpall futbollisti më i mirë i vitit, ndërsa talenti 18-vjeçar i Barcelonës, Lamine Yamal, përfundoi në vendin e dytë.

Pavarësisht se nuk arriti të fitojë çmimin kryesor, Yamal u vlerësua për të dytin vit radhazi me çmimin Raymond Kopa, që i ndahet lojtarit më të mirë të ri të sezonit.

“Askush tjetër nuk ka dy çmime Kopa. Jam i sigurt se tani Lamine do të luftojë për Topin e Artë”, u shpreh Laporta.

Ai tregoi emocionet nga ceremonia, ku pjesa e publikut mbështeti si Dembelen, ashtu edhe Yamalin.

“Ishte shumë emocionuese, sepse disa njerëz bërtisnin ‘Ousmane, Ousmane!’, dhe disa nga tanët thërrisnin ‘Lamine, Lamine!’ Ky rezultat do ta motivojë edhe më shumë Laminen”, shtoi ai.

Laporta nënvizoi se fitimi i Ligës së Kampionëve nga PSG ndikoi në triumfin e Dembeles, por shprehu bindjen se koha punon në favor të Yamalit.

“Ky vend i dytë do t’i japë motivim për vitet në vijim. Jam i bindur se ai do ta fitojë Topin e Artë”, përfundoi presidenti i Barcelonës.

Share This