Kurti uron veteranët e UÇK-së në Ditën e Veteranëve: Ju keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës

Kurti uron veteranët e UÇK-së në Ditën e Veteranëve: Ju keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me rastin e Ditës së Veteranëve, duke rikthyer në kujtesë ngjarjet historike të 30 dhjetorit 1991 në Prekaz.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shpjeguar se aksioni i parë i forcave policore serbe ndaj familjes Jashari shënoi fillimin e një rezistence të armatosur, ku tre bijtë e Shaban Jasharit – Rifati, Hamza dhe Ademi – së bashku me bashkëfshatarë dhe miq, rezistuan ndaj sulmit dhe siguruan vijimin e projektit kombëtar për çlirimin e Kosovës.

“Veteranët e luftës çlirimtare janë shokët bashkudhëtarë dhe dëshmitarët e dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. Ju lumtë pushka luftëtarë, ju zgjatë jeta veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Me veprën dhe luftën tuaj, ju e keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës,” ka shkruar Kurti.

Ai rikujtoi gjithashtu sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë atyre që kontribuuan në rrugën e lirisë, duke theksuar rëndësinë e përkujdesjes dhe respektit të përhershëm ndaj veteranëve dhe dëshmorëve të vendit.

Share This