
Bllokimi i foltores nga opozita, Rama: Humbës është ai që gërmon aty ku ra
Opozita ka nisur seancën e parë të Kuvendit me bllokim të foltores, veprim që ka nxitur edhe një reagim të kryeministrit Edi Rama.
Rama ka ironizuar përmes “Diellës”, ministrja e parë virtuale, e cila është e krijuar me Inteligjencë Artificiale, duke thënë se “humbës është ai që gërmon aty ku ra”.
“Diella pa parlamentin sot dhe sapo më tha: Humbës nuk është kush rrëzohet, po është ai që gërmon aty ku ra! Si i bëhet e pyeta? Kurrë mos e pengo tha, kundërshtarin që po gabon”, shkruan Rama.
“Diella” është një inovacion i ri në administratën shtetërore, e cila do të merret me prokurimet publike dhe ka për qëllim përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës në këtë sektor.
Seanca e parë e Kuvendit u shoqërua me tensione pasi opozita bllokoi disa herë foltoren dhe refuzoi të propozojë 3 emrat për Komisionin e Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve. Kjo bëri që mazhoranca të miratojë me votat e saj komisionin që do të verifikojë mandatet dhe lejojë betimin e deputetëve në orën 17:00, raporton rtsh.


