
Kurti përkujton Skënderbeun: Figurë qendrore e identitetit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, duke e cilësuar si një nga luftëtarët më të shquar të historisë dhe figurë qendrore të identitetit kombëtar shqiptar.
Në një postim të publikuar në Facebook me rastin e ditëlindjes së Skënderbeut, Kurti ka rikujtuar jetën dhe rolin historik të heroit kombëtar shqiptar.
“Në vitin 1405 kur lindi djali i vogël i Gjon Kastriotit, askush nuk mund ta parashikonte që ai do të bëhej një ndër luftëtarët prijës më të shquar në histori dhe hero kombëtar i ne shqiptarëve”, ka shkruar Kurti, raporton rtk.
Sipas tij, Skënderbeu u bë i njohur në të gjithë Evropën për aftësitë e tij ushtarake dhe udhëheqëse.
“Sa kohë që jetoi, ai do të bëhej i njohur si në Perandorinë Osmane ashtu edhe në tërë Evropën, për aftësitë e tij drejtuese dhe strategjitë ushtarake. Bota do ta njihte si Skënderbeu dhe do ta kujtonte ndër shekuj për trimëri, virtyte të larta morale kalorësiake dhe si një burrështetas të zot”, thuhet në postim.

