Kurti paralajmëron natë kritike: Ne po bëjmë maksimumin për t’ju dalë në ndihmë

Kurti paralajmëron natë kritike: Ne po bëjmë maksimumin për t’ju dalë në ndihmë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se sonte pritet të jetë një natë kritike për qarkullimin në rrugët e Kosovës, për shkak të uljes së ndjeshme të temperaturave që, sipas parashikimeve, do të zbresin deri në -9 gradë Celsius.

Përmes një thirrjeje drejtuar qytetarëve, Kurti ka kërkuar që të shmangen lëvizjet gjatë natës, përveç rasteve kur janë të domosdoshme, pasi ekziston rrezik i shtuar nga ngrirja e rrugëve të lagura si pasojë e reshjeve të shiut.

Ai theksoi se kontrasti i madh i temperaturave paraqet rrezik serioz për sigurinë në trafik, ndërsa siguroi se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin.

“Temperaturat pritet të zbresin deri në –9°C dhe rrugët e lagura mund të ngrijnë. Të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes janë në terren. Është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, përkatësisht pajisja e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri në detyrë u bëri thirrje qytetarëve që, nëse lëvizja është e pashmangshme, të vozisin me kujdes të shtuar dhe t’i përshtaten kushteve atmosferike.

“Ne po bëjmë maksimumin për t’ju dalë në ndihmë, andaj ju lutemi të kontribuoni në rritjen e sigurisë duke shmangur lëvizjet e panevojshme”, ka përfunduar Kurti.

Share This