Kurti nga Skenderaj: Pushteti aktual nuk ka as program e as ide, multi-milioneri ish komandant është devijim nga sakrifica e dëshmorëve

Kurti nga Skenderaj: Pushteti aktual nuk ka as program e as ide, multi-milioneri ish komandant është devijim nga sakrifica e dëshmorëve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka vizituar qytetarët e komunës së Skenderajt, ku ka kritikuar ashpër qeverisjen lokale aktuale dhe ka shpalosur mbështetjen për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehanin.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Kurti ka theksuar se në Skenderaj “pushteti aktual nuk ka as program e as ide”, duke e quajtur situatën e tanishme devijim nga sakrifica e dëshmorëve dhe kontributi për çlirimin e vendit.

“Në Skenderaj pushteti aktual nuk ka as program e as ide. Pabarazitë në Skenderaj, me multi-milionerin ish komandant i cili kënaqet kur i frikësohen njerëzit, janë devijim nga sakrifica e madhe e dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë kontribuesve për çlirim të Kosovës, liri të popullit dhe shtet të pavarur. Funksionet publike janë për shërbim me përkushtim e jo për pasurim me sundim”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se Vetëvendosje ka në garë Hysni Mehanin, të cilin e ka përshkruar si “aktivist të devotshëm, asamblist të dijshëm, modest e trim, që nuk ndan e nuk përçan, por afron e bashkon”.

“Ne e kemi Hysni Mehanin, aktivist i devotshëm e asamblist tejet aktiv, i dijshëm, modest e trim, që nuk ndan e nuk përçan, por afron e bashkon. Ai është mundësia e juaj dhe garancia jonë që nevojat e kërkesat e qytetarëve plotësohen, kurse vizioni dhe projektet për Skenderaj jetësohen,” ka shtuar Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes ka përmendur disa nga projektet që, sipas tij, do të realizohen nëse Mehani udhëheq Skenderajn pas zgjedhjeve të 12 tetorit.

“Me Hysni Mehanin shërbejmë me pasion, dije e punë. Skenderaj me të në krye pas 12 tetorit me pendën e Kuçicës gjen zgjidhje për problemin me ujë të pijes, ndërtojmë çerdhe të reja për fëmijët, realizojmë ngrohtoren e qytetit, trafikun publik, pishinën gjysmë-olimpike, parqet me lodra për fëmijë, parkun teknologjik inovativ, shteg për ecje e vrapim, si dhe zvogëlojmë numrin e drejtorive komunale për të orientuar buxhetin drejt investimeve kapitale”, ka shkruar ai.

Lëvizja Vetëvendosje synon që përmes Hysni Mehanit të marrë drejtimin e komunës së Skenderajt në zgjedhjet e tetorit, me premtime për zhvillim, transparencë dhe investime në infrastrukturë e mirëqenie.

Share This