
Kurti: Miratuam buxhetin 2026 dhe listën e marrëveshjeve ndërkombëtare
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se në mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar është miratuar buxheti për vitin 2026, lista e marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe është vendosur t’i kërkohet Kuvendit zgjatja e Ligjit për Ndarje Buxhetore për muajin mars.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se qeveria ka nisur punën me miratimin e dokumenteve kyçe që, sipas tij, prej kohësh presin shqyrtimin dhe votimin në Kuvend.
“Që në ditën e parë të punës, u mblodhëm për të miratuar buxhetin e vitit 2026 dhe listën e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat prej kohësh presin miratimin në Kuvend e që kanë edhe afat skadence”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka njoftuar se ekzekutivi ka aprovuar edhe vendimin për t’i kërkuar Kuvendit zgjatjen e Ligjit për Ndarje Buxhetore të vitit të kaluar për muajin mars, me qëllim që të sigurohet pagesa me kohë e pensioneve dhe pagave në sektorin publik.
“Që të sigurohemi se pensionet dhe pagat në sektorin publik të ekzekutohen me kohë, teksa komisionet parlamentare dhe deputetët e legjislaturës së 10-të trajtojnë dhe miratojnë buxhetin për këtë vit”, ka shkruar ai.
Kryeministri ka rikujtuar se vitin e kaluar Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar buxheti i shtetit në vlerë prej 4 miliardë euro, Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë 882.6 milionë euro, si dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro, duke rrezikuar përfitimet nga to.
Sipas Kurtit, tashmë me Kuvendin e konstituuar dhe qeverinë e re në detyrë, ekziston një mundësi e re për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve.
“Shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve, me punë e zell, nder e përkushtim, është privilegji më i madh që do ta kemi secili prej nesh”, ka përfunduar ai.

