Kurti: Besoj se do të vijë dita kur edhe ura kryesore mbi Ibër do të hapet

Kurti: Besoj se do të vijë dita kur edhe ura kryesore mbi Ibër do të hapet

Është përuruar ura e re e dedikuar për këmbësorë, mbi lumin Ibër, e cila lidh Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut. Përurimi është bërë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi e kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.

Por, kryeministri në detyrë ka shprehur bindjen se së shpejti do të hapet edhe ura kryesore mbi lumin Ibër.

Ai tha se në çdo takim e përsërisin kërkesën e tyre për hapjen e kësaj ure, e që sipas tij është e vetmja e cila ka persona të uniformuar sipër saj.

“Ne në çdo takim vazhdimisht e përsërisim qëndrimin tonë që ura mbi Ibër duhet të jetë përherë e hapur. Tash i kemi gjithsej 77 ura mbi lumin Ibër, shumica dërrmuese e tyre janë në Kosovë, por ka të tilla edhe në Mal të Zi e në Serbi. E vetmja urë e cila ka persona të uniformuar sipër saj tërë kohën, është ura kryesore mi Ibër. Besoj që nuk ka nevojë që aty të jenë pjesëtarët e KFOR-it, mirëpo ne këtë çështje e zgjidhim veçse me bashkëbisedim të hapur, me dialog të sinqertë dhe besoj që do të vijë dita kur edhe ajo urë do të jetë e hapur. Por, ndërkohë ne e rrisim lëvizshmërinë, qarkullimin sa më të madh në të dy anët e lumit Ibër, sepse dëshirojmë të kemi shkëmbim më të madh tregtar, liri të lëvizjes për qytetarët dhe sa më shumë bashkëpunim ekonomik e kulturor. Urat nuk kanë përkatësi etnike, urat janë të Mitrovicës e të mitrovicasve pa dallim”, tha Kurti.

Kreu në detyrë i qeverisë është pyetur edhe për intervenimin e Policisë së Kosovës në palestrën e sporteve në veri ku po tentohej të ndërroheshin ulëset, për t’u zëvendësuar me ato me ngjyra që simbolizojnë flamurin serb.

“Qeveria e Republikës e mbështetë policinë e shtetit, nuk e zëvendëson atë. Policia e Kosovës është profesionale e multietnike i shërben të gjithë qytetarëve pa dallim dhe respekton e zbaton ligjin. Prandaj, ata e dinë më së miri se çfarë duhet të bëjnë, kur e ku, e unë si kryeministër i Kosovës, zotohem se do të jem gjithmonë në përkrahje të tyre”, deklaroi kryeministri në detyrë.

Ndërkohë, ud.ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi e ka quajtur urën e re vepër arti.

“Sot këtu po e shënojmë hapjen edhe të një vepre që është edhe hidraulike edhe artistike, jo vetëm thjeshtë një urë për këmbësorë. Një vepër arti që do ta madhështojë këtë hapësirë mbi lumin Ibër dhe që do ta shfrytëzojnë të gjithë qytetarët pa dallim jug e veri”, tha Durmishi.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, tha se përfundimisht Mitrovica po merr drejtimin e duhur.

“Urat që kanë mision dhe janë sinonim i bashkimit më në fund po marrin drejtimin e duhur, mirëpo kjo është realizuar falë përkushtimit, angazhimit dhe qëndrueshmërisë së kryeministrit Kurti. Mitrovicës i ka dhuruar Zoti shumë bukuri e begati e tashmë përfundimisht po merr një drejtim të ri dhe një pamje që e meritojnë qytetarët e Mitrovicës”, tha ai.

Më 26 gusht ishte hapur ura e parë për qarkullimin e automjeteve. /rtk/

Share This