Kurti bën nderime te varri i Zahir Pajazitit: Frymëzim për ushtrinë dhe forcat tona të sigurisë

Kurti bën nderime te varri i Zahir Pajazitit: Frymëzim për ushtrinë dhe forcat tona të sigurisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot nderime te varri i heroit Zahir Pajaziti, në ditëlindjen e tij të 63-të.

Në këtë përvjetor, Kurti e ka cilësuar Zahir Pajazitin si “pararendës të luftës çlirimtare, veprimtar të jashtëzakonshëm dhe luftëtar të paepur që u bë sinonim i kushtrimit për liri”, bashkë me bashkëluftëtarët e tij Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka kujtuar janarin e vitit 1997, kur Pajaziti ra heroikisht në përballje me forcat serbe në Pestovë të Vushtrrisë, pa i mbushur ende 35 vjet.

“Zahir Pajaziti është emri i cili kujtohet e nderohet nga populli mbarë. Ai është frymëzim për ushtrinë e Kosovës, për forcat tona të sigurisë, për të gjithë ushtarët, oficerët dhe nënoficerët, të cilët e mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të vendit”, ka shkruar Kurti.

Në fund të reagimit të tij, kryeministri në detyrë ka shprehur nderime për të gjithë dëshmorët e kombit shqiptar.

“Lavdi Zahir Pajazitit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!”, ka përfunduar ai.

Share This