
Kryeziu: Propozimi i Gërvallës për kryetare të Kuvendit nuk është hap serioz për zhbllokimin politik
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka kritikuar propozimin e Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një lëvizje jo serioze për zhbllokimin e ngërçit politik.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk po synon realisht zgjidhjen e situatës, por po zhvillon një “lojë nervash” me partitë opozitare.
“Propozimi i Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit nuk është një hap as real e as serioz drejt konstituimit të Kuvendit dhe zhbllokimit të ngërçit politik. Por një mënyrë për t’i thënë opozitës, atë që në VV e kanë thënë jo formalisht: se pas kandidaturës së Albulena Haxhiut, me çfarë kandidatë do të vijmë, do kërkoni që t’ua kthejmë Albulena Haxhiun. LV-ja po zhvillon lojë nervash me partitë opozitare”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Ai shtoi se kjo qasje vetëm sa e thellon krizën politike në vend, në vend se të ofrojë një zgjidhje për funksionalizimin e Kuvendit.


