
Kryeziu: Manipulimi nga komisionerët nga simpatia? E vështirë të besohet
Shumë kandidatë në Kosovë po distancohen publikisht nga votat e shtuar pa dijeninë e tyre nga komisionerët zgjedhorë. Ismet Kryeziu nga KDI thotë se hetimet e pavarura dhe ndëshkimi i përgjegjësve janë të domosdoshme për të rikthyer besimin në integritetin e zgjedhjeve.
Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka komentuar situatën e krijuar pas zbulimeve për vota të shtuar në mënyrë të paligjshme nga komisionerë zgjedhorë. Sipas tij, shumë kandidatë që kanë përfituar mijëra vota të tilla po distancohen publikisht, duke deklaruar se nuk kishin dijeni për këto veprime.
Ai shton se në raste me dyshime për krim zgjedhor, është normale që individët të shpallen të pafajshëm deri në përfundimin e procedurave ligjore.
Megjithatë, Kryeziu thekson se është e vështirë të besohet që komisionerët kanë vepruar në mënyrë të tillë vetëm për simpati personale ndaj kandidatëve, pa nxitje, korruptim apo lidhje me interesa të caktuara, raporton rtk.
“Institucionet e drejtësisë duhet të zhvillojnë hetime të plota, të pavarura dhe të paanshme, duke përfshirë shqyrtimin e motiveve, formave dhe ndikimit të përfshirë në procesin zgjedhor. Vetëm një hetim i tillë dhe ndëshkimi penal i të gjithë përgjegjësve mund të garantojë sundimin e ligjit dhe të rikthejë besimin e qytetarëve në integritetin e zgjedhjeve dhe në demokraci”, tha ai.


