Krasniqi: Takimi me liderët, përmbushje obligimi e Kurtit

Krasniqi: Takimi me liderët, përmbushje obligimi e Kurtit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka vlerësuar takimin e ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si përmbushje të një obligimi nga ana e tij, derisa e ka fajësuar për kryeneçësi politike.

“Ky takim që u ftua nga zoti Kurti ndoshta për të aktruar përmbushjen e një obligimi që edhe aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ia jep atij për konsultime në mirëbesim dhe për përgjegjësinë e detyrimin për të gjetur konsensus apo kompromis rezultoi i pasuksesshëm sepse përkundër faktit se situata më nuk është e njëjtë pas aktgjykimit zoti Kurti është i njëjtë dhe qëndrimet e tij mbeten të njëjta. Mentaliteti imponues, e kryeneçësia politike vazhdon si duket të jetë për të më prioritare e më e rëndësishme se sa gjetja e zgjidhjes e përfundimi i bllokadës në të cilën është duke e mbajtur vendin që sa e sa kohë”, ka theksuar Krasniqi, raporton rtk.

Ai tutje ka thënë se nuk do të bëjë interpretime të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij më mirë se Faton Fetahu e Përparim Gruda, të cilët paraqitën qëndrimet e PDK-së në një konferencë për media më herët, nuk munden as ai dhe as dikush tjetër ta bëjnë këtë interpretim.

“Ata në mënyrë shumë të qartë e kanë qartësuar një gjë: që nuk mundet me u votuar në mënyrë të fshehtë sepse kjo nënkupton ndryshim të rendit të ditës, e ndryshimi i rendit të ditës edhe me këtë aktgjykim është shkelje e Kushtetutës. Për mua është vërtetë shqetësues fakti që zoti Kurti me aq sa e pashë nga ky takim kishte një interpretim të çuditshëm të aktgjykimit dhe sipas atij interpretimi ai mendonte që s’ka asnjë problem as me propozimin arbitrar të kryesuesit të seancës për komisionin që kërkon votimin e fshehtë e as me mënyrën se si është mbajtur seanca, kur në diapozitiv, gjetja e parë thotë se seanca nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën. Nuk e di çfarë duhet me ju dhanë tjetër këtyre njerëzve, por duket se vazhdojnë të jetojnë në realitet alternativë, në imagjinatën që ata dëshirojnë të jetë e vërteta, por që e vërteta nuk është ashtu”, nënvizoi Krasniqi.

Share This