Abdixhiku: Kurti e pranoi që nuk e ka shumicën, kërkoi kushtëzime

Abdixhiku: Kurti e pranoi që nuk e ka shumicën, kërkoi kushtëzime

Për më shumë se dy orë ka zgjatur takimi i liderëve politikë i thirrur nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas përfundimit të këtij takimi ka thënë se qëndrimet e thirrësit të takimit ishin të njëjta sikurse ato paraprake.

“Së bashku me nënkryetaren e LDK-së, deputeten Bajrami morën pjesë me vullnetin e  qëllimin më të mirë për të gjetur zgjedhje, ndonëse në të njëjtën kohë me drojën që i gjithë ky takim ishte më tepër një farsë publike se sa substanciale. Fatkeqësisht, droja jonë u vërtetua në këtë takim meqë qëndrimet e deputetit Kurti, thirrësit të këtij takimi ishin të njëjta, ato që kanë qenë deri më tani”, tha lideri i LDK-së.

Abdixhiku tha se Kurti në takim e pranoi se nuk e ka shumicën, por kërkoi kushtëzime.

“Për LDK-në është evidente që përgjegjësia për krijimin e shumicës i takon Kurtit me paragrafin 130 të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese. Edhe e drejta edhe përgjegjësia për të bërë shumicë. Kurti e pranoi që nuk ka shumicë, por kërkoi kushtëzime në pozicionet paraprake që ka pasur deri tani. Të votohet fshehtë ose të rrëzohet votimi i fshehtë, duke u votuar Haxhiun sërish, dhe më pas një ndërlidhje e përçudnuar e votimit për kryetar të Kuvendit me nënkryetarë. Mos lëvizja nga këto pozicione e bënë fatkeqe gjendjen e tanishme politike”, tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së deklaroi para gazetarëve se mos respektimi i aktgjykimit të Kushtetueses për LDK-në është hap i parë në përmbysjen e rendit kushtetues, raporton rtk.

Share This