
Krasniqi: Albulena Haxhiu nuk mund të rikandidohet për kryetare të Kuvendit
Njohësi i çështjeve të Kuvendit, Albert Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta propozojë sërish Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
Sipas tij, kjo ndodh pasi Haxhiu ka dështuar pesë herë në votim, ndërkohë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese e përcakton qartë se një kandidat nuk mund t’i nënshtrohet më shumë se tre votimeve për të njëjtin post.
“Duke qenë se votimi për kandidat/e për kryetar/e të Kuvendit nuk mund të përsëritet më shumë se tre herë për të njëjtin person, dhe se propozimi i parë i LVV-së për kandidaten Albulena Haxhiu ka qenë i pasuksesshëm për pesë herë, ajo nuk mund të rikandidohet sërish. Në vijimin e seancës konstituive, LVV duhet të propozojë një kandidat/e tjetër për këtë post”, ka shkruar Krasniqi.
Ky zhvillim e vendos partinë në pushtet përpara nevojës urgjente për të dalë me një emër të ri, në mënyrë që procesi i konstituimit të Kuvendit të mos bllokohet më tej.


