KQZ: Pjesëmarrja në votime kalon 162 mijë qytetarë deri në orën 11:00

KQZ: Pjesëmarrja në votime kalon 162 mijë qytetarë deri në orën 11:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës po zhvillohet sipas planifikimeve në të gjitha komunat e vendit, pa probleme që do të cenonin mbarëvajtjen e tij. Sipas të dhënave preliminare nga mbi 97% e vendvotimeve, deri në orën 11:00 kanë votuar 162 mijë e 439 qytetarë, ose 8,29% e 1 milionë e 959 mijë e 962 votuesve me të drejtë vote.

Sipas KQZ-së, bazuar në raportimet nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, votimi po zhvillohet në kushte të rregullta dhe në përputhje me procedurat zgjedhore në fuqi.

KQZ ka bërë të ditur se ka aktivizuar dhomën operative, ku janë të përfshirë zyrtarë të KQZ-së, Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës dhe KEDS, për të koordinuar dhe monitoruar procesin gjatë gjithë ditës së votimit.

“Çdo raportim i pranuar nga institucionet dhe strukturat përgjegjëse është duke u shqyrtuar me kujdes dhe në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim, raporton rtk.

KQZ ka krahasuar këto të dhëna me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, ku deri në të njëjtën orë kishin votuar 8.27% e votuesve.

Ndërkohë, konferenca e radhës e KQZ-së është paralajmëruar për në orën 15:30, ku pritet të bëhet e ditur pjesëmarrja deri në orën 15:00 dhe ecuria e procesit zgjedhor.

Share This