
Kosova regjistron 203 raste me fruth, mbi 95 për qind e të prekurve janë të pavaksinuar
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se në vend janë konfirmuar 203 raste me fruth nga 16 prilli deri më 11 tetor 2026. Prej tyre, 17 raste janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.
Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK-ja, më shumë se 95 për qind e personave të prekur nuk kanë qenë të vaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.
Përballë këtyre shifrave, institucioni u ka bërë thirrje prindërve që të sigurohen se fëmijët e tyre janë vaksinuar sipas kalendarit kombëtar të imunizimit, duke e cilësuar vaksinimin si masën më të rëndësishme për parandalimin e sëmundjes dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
IKShPK-ja ka njoftuar gjithashtu se krahas vaksinimit të rregullt, po vazhdon edhe fushata për vaksinimin e fëmijëve që kanë mbetur pa u vaksinuar në kohën e duhur.
Si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar më shumë se 3.265 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.
Instituti ka vlerësuar angazhimin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në rritjen e shkallës së vaksinimit, duke theksuar se imunizimi i fëmijëve është thelbësor për kufizimin e përhapjes së fruthit.
IKShPK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të tregojnë përgjegjësi ndaj vaksinimit, pasi mbulueshmëria e lartë me vaksina ndihmon në mbrojtjen e fëmijëve dhe të gjithë komunitetit.

