Haradinaj kritikon qeverinë për mosmbështetjen e një milion eurove shtesë për invalidët e luftës

Haradinaj kritikon qeverinë për mosmbështetjen e një milion eurove shtesë për invalidët e luftës

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar mosmbështetjen e amendamentit për ndarjen e një milion eurove shtesë për blerjen e protezave, pajisjeve dhe mjeteve të tjera mjekësore për invalidët e luftës.

Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj ka shprehur pakënaqësinë e tij pasi Komisioni për Buxhet nuk e ka mbështetur këtë propozim, duke vlerësuar se institucionet duhet të tregojnë më shumë kujdes ndaj kësaj kategorie.

Ai ka theksuar se personat që kanë sakrifikuar shëndetin dhe gjymtyrët e tyre për lirinë e Kosovës nuk duhet të përballen me vështirësi për sigurimin e pajisjeve të nevojshme mjekësore.

“Është e papranueshme që ata që dhanë gjymtyrët dhe shëndetin për lirinë e Kosovës, sot të lihen në harresë nga kjo qeveri. Mosmbështetja e amendamentit për ndarjen e një milion eurove shtesë për proteza dhe pajisje mjekësore për invalidët e luftës është e dhimbshme dhe dëshmi e mungesës së kujdesit nga ana e pushtetit ndaj kësaj kategorie të shenjtë”, ka shkruar Haradinaj.

Kreu i AAK-së ka nënvizuar se protezat dhe pajisjet mjekësore janë nevoja të domosdoshme për invalidët e luftës, e jo shpenzime luksi.

Sipas tij, këto pajisje duhet të zëvendësohen në intervale të caktuara, ndërsa kostoja e tyre paraqet barrë të rëndë financiare për shumë persona që kanë nevojë për to.

“Këto pajisje duhet të ndërrohen periodikisht, ndërsa kostoja e tyre është e papërballueshme për shumë prej tyre. Është detyrim i shtetit që t’ua sigurojë, e jo t’i lërë të kërkojnë ndihmë te miqtë dhe bashkatdhetarët në diasporë”, ka shtuar Haradinaj.

Ai ka kërkuar që institucionet të marrin përgjegjësinë për sigurimin e pajisjeve të nevojshme, duke vënë në pah rëndësinë e mbështetjes institucionale për invalidët e luftës.

Share This