Debati për Kosovën në KS-OKB: Ligji për Specialen, Banjska, Radoiçiqi, e ardhmja e UNMIK-ut…

Debati për Kosovën në KS-OKB: Ligji për Specialen, Banjska, Radoiçiqi, e ardhmja e UNMIK-ut…

Të martën mbrëma, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS i OKB) u mblodh në seancën e rregullt për të diskutuar raportin gjashtëmujor të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), shefit të UNMIK-ut, Peter Due, mbi situatën e sigurisë në Kosovë.

Në fjalën e tij, Due foli për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për protestat pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Derisa lavdëroi punën e Policisë së Kosovës në menaxhimin e protestave mbi 20-ditore kundër vendimit të Hagës, ai u ankua se institucionet e sigurisë të Kosovës nuk janë koordinuar me OKB-në, raporton Klankosova.tv.

Ai po ashtu përmendi një sërë incidentesh që janë raportuar në Kosovë gjatë kësaj periudhe raportuese, e për të cilat pretendoi se janë ndëretnike.

Çfarë tha Glauk Konjufca?

Kosova u përfaqësua në këtë mbledhje nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Në fjalën e tij, Konjufca theksoi se Kosova është shtet multietnik dhe se institucionet e saj duhet ta zbatojnë ligjin për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, raporton Klankosova.tv.

“Qeveria e Kosovës bën përpjekje për sigurim të paqes dhe prosperitetit në gjithë territorin, përfshirë edhe veriun, dhe këto po shpaguhen tani”, u shpreh Konjufca në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

Ministri kundërshtoi raportin e UNMIK-ut, duke pretenduar se në të disa veprime të institucioneve të Kosovës paraqiten si të motivuara etnikisht dhe se raporti mbështetet tepër në pretendimet e Serbisë.

“Është dëshpëruese që shumë këso rastesh të trajtuara në raportin e UNMIK-ut bazohen kryesisht te propaganda serbe, është fatkeqe që edhe sulmi paramilitar në Banjskë, i organizuar, orkestruar, mbështetur nga Beogradi zyrtar, përmes Radiçiqit, përmendet në këtë raport si një ngjarje e dhunshme në vend që të përmendet siç është, pra sulm terrorist. Nga 92 rastet e përmendura si propagandë politike nga zyra e ashtuquajtur për Kosovë, asnjëra nuk ka ndonjë prapavijë ose motiv etnik. Me keqpërdorimin e konotacioneve etnike dhe fabrikimeve të tilla, raporti përmban dezinformata dhe qëllimisht i keqinterpreton veprimet e zbatimit të ligjit apo cenimin e rendit publik, duke i përshkruar ato si të motivuara etnikisht apo shkelje të të drejtave”, u shpreh ai.

Gjatë fjalimit, Konjufca mbrojti veprimet e institucioneve të Kosovës në veri, duke theksuar se ato synojnë zbatimin e ligjit dhe jo përndjekjen e qytetarëve serbë.

Konjufca për vendimin e Gjykatës Speciale

Një pjesë të fjalimit të tij, ministri ia kushtoi edhe vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur shqetësime për dënimet e shqiptuara dhe duke kërkuar që gabimet e pretenduara të korrigjohen në procedurën e apelit.

“Aktgjykimi së voni i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara ka provokuar një reagim të fortë negativ në Kosovë. Si popull viktimë, si shtet viktimë, Kosova ka bashkëpunuar me tribunalin e Hagës edhe gjykatat dhe organet e tjera të OKB-së, edhe me gjykatat e veta në ndjekjen dhe dënimin e të gjitha krimeve të luftës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Të njëjtën gjë e kemi bërë edhe me Gjykatën e Specializuar”.

“Kemi shqetësime serioze sa i përket dënimeve të ashpra. Ne mendojmë se ato përmbajnë gabime në kuptimin e përmbajtjes dhe fakteve dhe presim që në Apel t’i korrigjojnë këto. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të perceptohet e të shihet si e paanshme”, ka theksuar ministri.

Konjufca kërkoi gjithashtu drejtësi për viktimat e luftës, përfshirë rreth 20 mijë viktimat e dhunës seksuale, si dhe për krimet e luftës për të cilat ende nuk është vënë drejtësia në vend.

Përplasja me Marko Gjuriqin për Banjskën

Gjatë mbledhjes, Konjufca u përball edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, të cilit ia përmendi takimet me Milan Radoiçiqin, kryeterroristin përgjegjës për sulmin në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Duke iu referuar së ardhmes evropiane të Serbisë, Konjufca e kritikoi Gjuriqin për kontaktet me Radoiçiqin, i cili kërkohet nga Interpoli.

“Këto janë të vërtetat dhe kur flasim për të ardhmen evropiane, me të cilën ministri Gjuriq është aq shumë i obsesionuar, gjëja e parë është që do t’ia jap një këshillë, që të mos takohet me Radoiçiqin. Fotografitë e tij me Radoiçiqin nuk e di se çka përmbajnë këto biseda mes tyre, por ai është person që kërkohet nga Interpoli dhe ne kur e shohim ministrin e një shteti kandidat që kërkon të integrohet në BE, i cili takohet me një kriminel të tillë, që kërkohet nga Interpoli, nuk e di për çfarë integrimi evropian dhe për çfarë të ardhmen evropiane po flasim”, deklaroi ministri i Jashtëm i Kosovës.

Çfarë tha shefi i UNMIK-ut?

Shefi i misionit të UNMIK-ut, Peter Due, paraqiti në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit raportin për periudhën 16 mars – 15 shtator 2026.

Ai foli për protestat e zhvilluara së fundmi në Prishtinë, pas vendimit të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Due vlerësoi se Policia e Kosovës ishte përgjithësisht profesionale gjatë protestave, por kritikoi atë që e konsideroi koordinim të pamjaftueshëm me OKB-në.

Ai shprehu gjithashtu shqetësim për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë, duke theksuar se duhet të respektohet pavarësia e gjykatës.

“E theksoj edhe brengosjen e shprehur nga BE-ja. Të pandehurit kanë të drejtë të apelit, por integriteti dhe pavarësia e procedurave gjyqësore duhet të respektohet dhe çdo veprim legjislativ duhet të jetë në përputhje të plotë me obligimet ligjore dhe ndërkombëtare të Kosovës”, deklaroi Peter Due, transmeton Klankosova.tv.

Shefi i UNMIK-ut kërkoi bashkëpunim të plotë nga Kosova dhe Serbia për të vënë para përgjegjësisë personat e përfshirë në sulmin në Banjskë dhe në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.

Ndër të tjera, Due përshëndeti zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës si presidente e Kosovës.

Çfarë kërkuan ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes përfaqësueses së tyre Tammy Bruce, deklaruan se paqja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet nga vetë palët, përmes dialogut dhe ndërtimit të besimit.

Ajo tha se presidenti Trump i admiron, si Kosovën ashtu edhe Serbinë, nga të cilat pret paqe, stabilitet dhe prosperitet.

Bruce kërkoi gjithashtu mbylljen e UNMIK-ut, me arsyetimin se misioni e ka tejkaluar rolin e tij dhe se Kosova e sotme ndryshon ndjeshëm nga ajo e vitit 1999, raporton Klankosova.tv.

“Paqja midis Kosovës dhe Serbisë është jo vetëm esenciale. Presidenti Trump admiron të dyja vendet dhe dëshiron paqe, stabilitet dhe prosperitet. Në këtë drejtim u bëjmë thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje, të bëjnë hapa praktikë drejt ndërtimit të besimit dhe ruajtjes së stabilitetit dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkuar, përmes përfaqësueses Jennifer MacNaughtan, u bëri thirrje shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta njohin pavarësinë e saj.

MacNaughtan kërkoi zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, si dhe qasje në arkivat e Serbisë për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.

“Normalizimi mbetet esencial për stabilitet afatgjatë. I ftojmë të dyja palët t’i zbatojnë marrëveshjet, përfshirë atë të Ohrit në tërësi, dhe duke i plotësuar zotimet e nenit 7 për të lejuar vetëmenaxhim për komunitetin serb në Kosovë”.

“Kemi vënë re ato që janë përmendur në raport për sa i përket disa veprimeve të Kosovë, veçanërisht në veri. Kushtetuta e Kosovës ofron garanci gjithëpërfshirëse për të drejtat e tyre të cilat do të implementohen tërësisht në praktikë dhe në pajtim me sundimin e ligjit. Serbia duhet të ofrojë qasje në arkivat për të siguruar përparim për personat e zhdukur. Mbi 1500 persona nga të gjitha komunitetet mbeten të pagjetur, mbi 25 vjet pas konfliktit”, ka thënë Jennifer MacNaughtan.

Ajo kërkoi gjithashtu që përgjegjësit për sulmin në Banjskë, përfshirë Milan Radoiçiqin, të dalin para drejtësisë.

Ashtu si ShBA-ja, edhe Mbretëria e Bashkuar mbështeti mbylljen e misionit të UNMIK-ut.

Qëndrimi i Bashkimit Evropian

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara, Stavros Lamperinos, kishte deklaruar një ditë më parë se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, është e gatshme të thërrasë një takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, sipas tij, një takim i tillë mund të mbahet vetëm nëse ekziston vullnet nga të dyja palët.

“Përfaqësuesja e Lartë mbetet e gatshme të thërrasë një takim të nivelit të lartë, por nevojitet vullnet nga të dyja palët. I inkurajojmë palët që ta marrin përsipër këtë përpjekje drejt normalizimit, të angazhohen në mirëbesim dhe ta mundësojnë një takim të tillë”, ka deklaruar ai.

Lamperinos kërkoi zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë, përfshirë atë të vitit 2023. Ai bëri thirrje edhe për uljen e tensioneve në veri dhe krijimin e kushteve për kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Përfaqësuesi i BE-së kritikoi gjithashtu ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se ato nuk janë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Çfarë pretendoi Serbia?

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, pretendoi se serbët në Kosovë përballen me pasiguri dhe trajtim të padrejtë.

Në përgjigje të këtyre pretendimeve, Konjufca akuzoi Serbinë se po e përdor mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për propagandë politike dhe për të paraqitur zbatimin e ligjit në Kosovë si përndjekje etnike.

Ai përmendi gjithashtu krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke kundërshtuar pretendimet se Kosova është shtet ekstremist në aspektin fetar.

“Është për të ardhur keq që Serbia e shfrytëzon edhe këtë platformë për të bërë fushatë për zgjedhjet e 25 tetorit. Mirëpo, do t’i sqaroj disa gjëra për ta. Kosova është shtet multietnik, sekular, harmonia fetare ka qenë një nga tiparet më të theksuara të popullit tim. Ata që ne kemi me prejardhje myslimane, katolike dhe ortodokse, dhe si mundet një shtet të jetë ekstremist në aspektin fetar kur ne rishtazi kemi zgjedhur një presidente që vjen nga feja katolike”.

“Mirëpo Serbia është e njohur për shfrytëzimin e kishës së saj për ndarje etnike e nacionaliste, fabrikojnë incidente për të ruajtur marrëdhëniet e këqija ndëretnike, e ka bërë në të 90-tat dhe vazhdon ta bëjë edhe sot. Gjatë luftës, një numër i madh i viktimave civile ishin shqiptarë katolike, të vrarë nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare të Serbisë. Masakra më e madhe e 99-tës ishte ajo e Mejes. E kemi quajtur Srebrenica jonë, sepse është masakra më e madhe nga të gjitha. 377 persona janë vrarë, shumica nga të cilët popullatë katolike me fe”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme.

Lassen: Serbia të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Përfaqësuesja e përhershme e Danimarkës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), ambasadorja Christina Markus Lassen, ka kërkuar zbatimin e plotë të Marrëveshjes së vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, më 20 tetor, Lassen tha se Kosova duhet të ecë përpara me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia duhet ta përmbushë zotimin për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ajo theksoi se të dyja palët kanë përgjegjësi dhe se përparimi i qëndrueshëm kërkon zbatimin e zotimeve me mirëbesim, pa përzgjedhur vetëm obligimet që u përshtaten.

Duke folur për sigurinë, Lassen u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet ose të dëmtojnë dialogun. Ajo shprehu keqardhje për mungesën e përparimit të mjaftueshëm nga Serbia për të siguruar përgjegjësi për sulmin në Banjskë të vitit 2023.

Lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës, ajo kërkoi respektimin e pavarësisë së gjyqësorit, duke theksuar se çdo kundërshtim ndaj aktgjykimeve duhet të ndiqet përmes procedurave të rregullta të ankimimit.

Ajo tha se një rishikim strategjik i mandatit të misionit, të përcaktuar më 1999, mund të ndihmojë që ai t’u përshtatet më mirë nevojave aktuale në terren.

Në përfundim, ambasadorja riafirmoi mbështetjen e Danimarkës për integrimin e plotë të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar, duke theksuar se ky angazhim do të vazhdojë edhe pas përfundimit të anëtarësimit të Danimarkës në Këshillin e Sigurimit.

Letonia, Serbisë: Dorëzoji përgjegjësit e Banjskës

Letonia i ka bërë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë për një hetim të plotë dhe të paanshëm për sulmin në Banjskë, duke theksuar se, tri vjet pas sulmit të vitit 2023, drejtësia ende nuk është vënë në vend.

Këto qëndrime i shprehu zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Letonisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Olegs Ilgis, gjatë diskutimit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Është për të ardhur keq që pas tri viteve pas sulmit të dhunshëm në Banjskë në vitin 2023, drejtësia ende nuk ka rënë në vend. I bëjmë thirrje Serbisë që të demonstrojë bashkëpunim konstruktiv për hetim të plotë e të paanshëm; ata që janë përgjegjës duhet të mbahen përgjegjës para ligjit”, deklaroi Ilgis.

Në të njëjtën kohë, ai shprehu shqetësimin e Letonisë për ndryshimet e fundit në ligjin për Gjykatën Speciale.

“Ne e respektojmë mandatin dhe pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara për të siguruar drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet”, u shpreh ai, duke e inkurajuar Kosovën që t’i përmbushë zotimet ndërkombëtare dhe të vazhdojë reformat.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, përfaqësuesi letonez u bëri thirrje të dyja palëve që të shmangin veprimet e njëanshme dhe retorikën që mund të rrisë tensionet dhe të dëmtojë besimin ndërmjet komuniteteve.

Pakistani kërkon të mos politizohet burimet e përbashkëta ujore

Ushtruesi i detyrës së përfaqësuesit të përhershëm të Pakistanit në OKB, Ambasadori Usman Jadoon, ka kërkuar që përgjegjësit për sulmet në Ibër-Lepenc dhe Banjskë të dalin para drejtësisë, duke theksuar se kjo do të ndihmonte në ndërtimin e besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, Jadoon tha se pjesëmarrja e vazhdueshme në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura janë rruga e vetme e qëndrueshme për tejkalimin e sfidave dhe garantimin e paqes në rajon.

Ai përshëndeti mbajtjen paqësore të zgjedhjeve në Kosovë dhe përfundimin e procesit zgjedhor me betimin e presidentes Justina Shiroka-Pula.

Jadoon dënoi gjithashtu gjuhën e urrejtjes, retorikën përçarëse dhe tensionet ndëretnike, duke kërkuar që autoritetet përkatëse të ndërmarrin veprime vendimtare kundër këtyre dukurive.

Duke folur për burimet e përbashkëta ujore, ai tha se ato nuk duhet të përdoren për përfitime politike apo për qëllime të ngushta gjeopolitike.

Në fund, ambasadori theksoi se Pakistani mban marrëdhënie miqësore me Serbinë dhe Kosovën dhe mbështet paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën në Ballkan.

Share This