Kontrabandë me vlerë 5.5 milionë euro në Morinë, sekuestrohen 2194 celularë

Kontrabandë me vlerë 5.5 milionë euro në Morinë, sekuestrohen 2194 celularë

Policia Kufitare në bashkëpunim me Autoritetet Doganore finalizuan operacionin e koduar “Tarifa” në pikën kufitare të Morinës, duke goditur një rast të rëndë të kontrabandës së mallrave me akcizë, të destinuara për në Kosovë. Në pranga ranë dy drejtuesit e automjeteve, ndërsa vlera totale e mallrave të sekuestruara arrin shifrën e madhe prej rreth 54.3 milionë lekë (5.5 milionë euro).

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kukësit, kontrollet e intensifikuara në kuadër të luftës kundër krimit ndërkufitar çuan në ndalimin e dy automjeteve në dalje të Shqipërisë, bazuar në informacione operative.

Gjatë kontrollit të detajuar në automjetin tip “Volkswagen” të drejtuar nga shtetasi F. M., u zbuluan: 2194 celularë; 1006 kuti me medikamente mjekësore të ndryshme; 41 000 tableta mjekësore të ambalazhuara në arka.

Ndërsa në automjetin furgon të drejtuar nga shtetasi B. L., u gjetën plot 62 thasë me duhan, me një peshë totale që arrinte në 930 kilogramë.

Si celularët, ashtu edhe duhani dhe medikamentet, janë mallra për të cilat paguhet akcizë e lartë. Mallrat e sekuestruara bashkë me të dy automjetet janë marrë në cilësinë e provës materiale.

Arrestimet dhe akuzat

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë:

•     Shtetasi B. L., 52 vjeç, banues në Kukës.

•     Shtetasi F. M., 55 vjeç, banues në Kukës.

Të dy akuzohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /rtsh/

Share This